Arbëri

Avokati i Jasharit thotë se ai e ka pranuar se shtiu drejt Vllasit

Avokatët e dy personave të arrestuar sot lidhur me tentim vrasjen ndaj avokatit Azem Vllasi, ekskluzivisht për KALLXO.com kanë dhënë versionet e tyre lidhur me ngjarjen e sotme ku mbeti i plagosur avokati i njohur kosovar, njëri ndër politikanët kryesorë në vend në vitet 1980.

Avokati Emrush Kastrati, që mbron Murat Jasharin, personin që dyshohet se shtiu në Azem Vllasin tha se i mbrojturi i tij është intervistuar sot në hetuesi.

“Ai e ka pranuar që ka qenë dorasi, nuk e ka fshehur. Motivi i tij sipas arsyetimit të tij është për shkak të dëmeve nga vitet e ‘80 e këndej që ia ka shkaktuar rinisë me politikën e tij dhe nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e tij”, tha Kastrati.

Kastrati më tej tha se do të propozojë ekzaminim psikiatrik për të mbrojturin e tij.

“Bindja ime profesionale sa kam parë tek ai njeri është se ai ka probleme shëndetësore. Unë kam biseduar edhe me familjen e tij dhe ai vet gjatë marrjes në pyetje në hetuesi e ka konfirmuar se përdor medikamente për depresion e të ngjashme”, tha Kastrati.

Kastrati mohoi që gjatë intervistimit është përmendur një organizatë me emra të personave për t’u ekzekutuar, ashtu siç ishte raportuar sot gjatë tërë ditës nëpër portalet e vendit./Kallxo