Arbëri

“Filozofo shqip” projekt i përbashkët i Departamenteve të Filozofisë në Prishtinë e Tiranë

Në Tiranë, janë takuar përfaqësuesit e Departamentit të Filozofisë së Universitetit të Tiranës me homologët e tyre nga Departamenti i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe përfaqësues të Shoqatës së Filozofisë së Kosovës.

Sipas njoftimit për media të palës kosovare të takimit, janë tri prioritete brenda bashkëpunimit të institucioneve të cekura brenda vitit 2017.

“Departamenti i Filozofisë në Tiranë ka ofruar përkrahje dhe përvojën e këtij Departamenti për iniciativën e filozofëve kosovarë në ruajtjen dhe shtimin e lëndëve të Filozofisë në shkolla fillore dhe të mesme. Njëkohësisht dy departamente janë dakorduar për realizimin e projektit të unifikimit të terminologjisë filozofike në gjuhën shqipe. Hapi konkret në këtë drejtim është organizimi i konferencës dy ditore në maj 2017 në Tiranë me titullin ‘Filozofo shqip’, ku do të caktohen prioritete në ndërtimin e fjalorit bazë të termeve filozofike në gjuhën shqipe. Në këtë projekt do të përfshihen studiues të filozofisë edhe nga universitete tjera publike të Shqipërisë, në rend të parë Universiteti i Korçës”, thuhet në njoftim, përcjell Koha.net.

Dy Departamente të Filozofisë janë pajtuar edhe për organizimin e muajit të Filozofisë me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë në nëntor 2017.