Arbëri

Prokurorja Hajdari habitet se si askush nuk e ka thënë një gjë rreth arrestimit të Haradinajt

Drita Hajdari, derisa e ka quajtur të kundërligjshëm ndalimin në Francë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë në “Puls” të KTV-së se duhet të dihet një gjë që nuk po përmendet.

“Serbia ka krijuar një bazë ligjore për procesimin e krimeve të luftës me një ligj të veçantë të vitit 2003, e sot jemi në vitin 2017. Me këtë ligj organet judikaturës së Serbisë kanë siguruar për vete kompetencën ekskluzive për ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë, pa marrë parasysh shtetësinë e kryesit dhe pa marrë parasysh shtetësinë e viktimës. Serbia ka krijuar me ketë ligj bazë juridike për ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të kryera në territorin e Kroacisë, territorin e Bosnjës dhe territorin e Kosovës”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Serbisë ekziston parimi territorial që kryesi i veprës përgjigjet sipas vendit ku është kryer vepra penale.

“Kjo ekziston edhe në Kosovë edhe në gjitha kodet e botës bashkëkohore. Me këtë ligj të njëanshëm Serbia e ka suspenduar këtë standard ndërkombëtar, pra parimin universal, dhe e ka shpall vetën kompetente për gjykimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Pra ka nxjerr një ligj që është në kundërshtim edhe me ligjin e tyre të procedurës penale dhe askush nuk ka reaguar nga politika vendore”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shprehur habinë se si sa juristi dhe eksperti vendor në vend nuk i ka e dhënë rëndësi kësaj çështje.

“Mos harroni, Kroacia për shkak të këtij ligji ka arrit me stopu Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian ndërsa në Kosovë nuk është diskutuar për këtë ligj. Ju e dini kemi pas shumë arrestime jashtë vendit, jo vetëm z. Haradinaj por edhe plot komandant të Kosovës”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka thënë edhe një gjë.

“INTERPOL-i, duhet ta dini se ekzekuton vendimet dhe nuk hyn në ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e një urdhërarresti. Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës për krime lufte kjo duhet të dihet. Por për rastin Haradinaj të gjithë jemi fajtor, dikush më pak e dikush më shumë. Kur flasim kështu, pasi Serbia qenka kompetente për krime lufte për Ramushin pse nuk qenka kompetente për rastin e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë në fund Hajdari.