Arbëri

Cili vërtetim mungon në dosjen e Lumezit

Këshilli Prokurorial konfirmon hetimet rreth dosjes së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, raporton KTV.

“Hetimet do të jenë të pavarura”, ka thënë kryesuesi i Këshillit, Blerim Isufaj.

Ai ka mohuar se kanë diskutuar për pezullimin e Lumezit nga posti i tij.

Nga ana tjetër është vërtetuar se në dosjen e Lumezit mungon edhe një vërtetim, ai që lëshohet nga gjykata e që lejon kandidatin ta paraqesë provimin e jurisprudencës.

Ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për Drejtësi”, kanë arritur të kenë qasje në dosjen personale të praktikës së Aleksandër Lumezi, gjatë viteve 89-91, e cila fizikisht ndodhet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Në këtë dosje faktohet çdo gjë për punën praktike të kryer nga Lumezi, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në përjashtim të vërtetimit për paraqitjen e provimit të Jurisprudencës.

Një vërtetim të tillë ekipi kishte gjetur në dosjen e Zymer Krasniqit, e që përputhej edhe me datën e shënuar në librin e paraqitjes së Jurisprudencës me pesë ditë diferencë.