Arbëri

BSPK-ja me dy greva, njëra në mbështetje të Haradinajt, tjetra për pagat

Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve ka vendosur që të kalojë drejtpërdrejt në grevë dhe bllokadë të institucioneve nëse sponsorizuesit e projektligjit për Pagat nuk e ndryshojnë versionin aktual.

Sipas drejtuesve të kësaj sindikate, projektligji i tillë është kryekëput i bërë vetëm për kastën e lartë politike, përderisa punëtorët nuk përfitojnë asgjë, raporton KTV.

Përpos këtij projektligji, BSPK ka ankesa në projektligjin për sigurimet shëndetësore, në atë të stazhit të punës për vitet 90-99 dhe atë për pagën minimale.

Drejtuesit e BSPK-së kanë thënë se kjo sindikatë asnjëherë nuk po konsultohet nga institucionet që po bëjnë ligje, nga të cilat preken edhe punëtorët.

Sipas tyre, vetëm kur të vijnë rekomandimet nga BE-ja, atëherë kërkojnë përfshirjen e tyre.

Sindikalistët janë ankuar edhe për mosrespektim të vendimeve gjyqësore të kompanive, në theks të veçantë në KEDS dhe në Aeroport, për çka kanë thënë se janë në diskutime për angazhimin e përmbaruesve privatë.

Kjo sindikatë, gjithashtu ka marrë vendim që në shenjë mbështetjeje për Ramush Haradinajn të mbajë të martën një grevë gjysmëorëshe në vendet e tyre të punës nga 11:30 në 12:00.