Arbëri

Ish-polici kufitar i Malit të Zi thotë se demarkacioni është bërë gabimisht

Adem Muriqi nga Koshotani i Rugovës, është ish-pjesëtar policor i Malit të Zi, i cili për më shumë se 7 vjet kontrolloi pikën kufitare te Kulla e Zhlebit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Thotë se është dëshmitar se kufiri ishte te Kulla, pasi që nga viti 1974 deri më 1981 ka patrulluar si pjesëtar i shtetit malazez në këtë zonë kufitare, raporto KTV.

Ai kundërshton fuqishëm shënjimin e ri të kufirit, ngase, sipas tij, me demarkacionin e tanishëm me Malin Zi, Kosova humbet mijëra hektarë tokë.

Ekipi i KTV-së nuk është lejuar të xhirojë pikën kufitare me Malin e Zi që ende është te Kulla.

Por, pika kufitare do të zhvendoset shumë shpejt për disa kilometra më poshtë.

Policët kufitarë malazezë prapa kamerës konfirmuan se kufiri i ri do të vendoset te kjo urë, e cila është rreth 6 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës.

Ish-pjesëtari policor i Malit të Zi, ka një porosi për krerët politikë në vend. Deri në vitin 2008 këtë aks rrugor që shpie deri te Kulla e Zhlebit, e kishte mirëmbajtur Kosova, por që nga viti 2008 e mirëmban Mali i Zi.