Arbëri

Kërkohet mobilitet e më shumë përkrahje për trajtimin e viktimave të krimit

Në Prishtinë për herën të tetë po mbahet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila organizohet nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë ceremoni folën nikoqiri i kësaj ceremonie kryeprokurori Aleksandër Lumezi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie dhe kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, siç raporton KTV, ka thënë se shtetit duhet t’i mbrojë viktimat e vendit.

Ndërkaq kryeprokurori Lumezi ka thënë se kjo është java e viktimave të krimit dhe ka kërkuar mobilitet për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit.

“Kjo eksperiencë na ka frymëzuar që të punojmë për viktimat e krimit. Dua të përsëris se të drejtat e viktimave janë të garantuara me kushtetutë që hynë në kuadër të të drejtave themelore. Unë si kryeprokuror ju siguroj që do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen sipas standardeve më të larta dhe me respekt të veçantë”, tha Lumezi, raporton KTV.

Tutje ai ka thënë se Kosova ka krijuar legjislacion bashkëkohorë dhe ka krijuar masën ligjore për kompensimin e viktimave ku është emëruar një komision e që beson se së shpejti do të vijnë rastet e para të kompensimit.

“Kërkoj nga ju prokurorë të shtetit dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë që të mos dështoni e të ju jepni ndihmë sa herë që viktimat i nënshtrohen dhunës fizike si dhe të ndëshkohet krimi”, shtoi ai.

“Të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në zbulimin e veprave penale sepse e kundërta sjellë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për viktimat dhe nëse nuk ndëshkohen rastet e tilla ato mund të përsëriten. Ju siguroj që unë kurrë nuk do të lejojë që të denigrohet puna e prokurorit të shtetit. Unë besoj në fuqinë e drejtësisë dhe do ta ushtroj detyrën me nder dhe nuk do të lejojë që njerëzit e korruptuar të njollosin punën time me hulumtime”, përfundoi Lumezi.

Ndërkaq ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka thënë se do t’i jap më shumë mbështetje kësaj kategorie.

“Në dekadën e fundit institucionet tona i kanë dhënë mbështetje të veçantë kësaj kategorie dhe unë si ministër zotohem se do të punojë edhe më shumë për këtë kategori. E kemi lansuar programin e kompensimit të viktimave të krimit dhe si ministër i drejtësisë ju informoj se në shtator është trajtuar rasti i parë dhe do të kompensohet sipas legjislacioneve në fuqi. Ju siguroj se rekomandimet e para të dala nga kjo konferencë do të merren për bazë”, tha Tahiri.

I pranishëm ishte edhe ambasadori Delawie, i cili ka përmendur se probleme të tilla ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por se duhet punuar shumë për t’i mënjanuar ato.

“Edhe në SHBA kemi të tilla probleme dhe na është dashur shumë punë për të trajtuar këto raste. Edhe këtu do të duhet që qeveria të japë përkrahje të veçantë për këto raste. Nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit”, tha ai.

Ndërkaq Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, tha se viktima e krimit në aspektin juridik flet për ata persona që kanë pësuar dhunë fizike.

“Të gjitha forcat e drejtësisë duhet të angazhohen në trajtimin e rasteve dhe të merren në konsideratë nevojat e viktimës. Ka nevojë për ngritjen e efikasitetit për këto raste dhe të avancohen të drejtat e viktimave”, tha ai, raporton KTV.