Arbëri

Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut morën pagën e 13-të jashtë ligjshëm

Bordi dhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë marrë pagën shtesë ose pagën e 13-të për vitin 2016, por jo edhe të gjithë punonjësit në KEK që janë rreth 4.800.

Ata që iu gëzuan pagës së 13-të janë drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, drejtues të lartë të KEK-ut, Sali Bytyqi, Nexhat Podrimja, Nijazi Thaçi, udhëheqës të bordit, Berat Rukiqi, kryetar, anëtarët tjetër Haki Mjeku, Enver Muli, Ranko Makic, Burim Leci dhe Pranvera Dobruna-Kryeziu dhe disa të tjerë nga udhëheqja.

Kjo ndarje e pagave shtesë për menaxhmentin e ngushtë nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky diskriminim ka revoltuar të gjithë punëtoret në këtë ndërmarrje publike, për faktin se bordi nuk ka as mandat.

Edhe zyrtarë të KEK-ut kanë pranuar se menaxhmenti ka marrë pagën shtesë, me arsyetimin se janë të parapara me kontrata individuale.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës(SPEK), Izet Mustafa thotë për KosovaPress, se janë diku 20 zyrtarët më të lartë në KEK që kanë marrë pagën e 13-të.

Sipas tij, kjo ndarje e pagave shtesë vetëm për menaxhmentin nuk është e drejtë ligjore. Ai tha se shqetësime të punonjësve dhe pakënaqësi për fat të keq në korporatën energjetike ka mjaft, ndër këto shqetësime janë ato rreth pagesave dhe rreth punëve që ata i kryejnë në përditshmëri.

Edhe kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Rafet Osmani, ka konfirmuar se janë të informuar se pagë shtesë kanë marrë komplet bordi i KEK-ut dhe menaxhmenti.

Osmani tha se për këto paga diskriminuese, menaxhmenti është bazuar me një rregullore të brendshme të KEK-ut.

Punonjësi tjetër në KEK, Ragip Mehmeti, inspektor për siguri në makineri pranon se nuk ka marrë pagën shtesë për vitin paraprak, edhe pse ai tha se menaxhmenti i ka quajtur punëtorët e KEK-ut heronjtë të Kosovës që punojnë në temperatura minus 30 gradë celsius.

Sipas tij, gjendja aktuale në KEK është shumë e vështirë dhe shumë e rëndë, andaj, janë vonuar proceset që është dashur të kryhen. Ai kërkoi që të krijohen kushte për punëtorë dhe mos të rrezikohen vendet e tyre të punës.

Drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës KEK, Skënder Bucolli ka pranuar se disa zyrtarë të menaxhemntit që kanë kontratë idividuale kanë marrë pagën e 13-të.

Edhe pse drejtori menaxhues i KEK, Arben Gjukaj merr pagë mujore 2500 euro, Bucolli është ankuar se menaxhmenti i KEK-ut, krahasuar me ndërmarrjet e tjera publike dhe agjencitë e ndryshme i ka pagat më të vogla në vend, pavarësisht faktit se është një ndër ndërmarrjet më të mëdha në vend me rreth 5 mijë punëtorë, operon me stabilimente të stërvjetruara dhe prapë ka treguar përgjegjësi të lartë duke qenë një ndër ndërmarrjet e rralla në vend që nga viti në vit është duke e ngritur përformancën.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, për KosovaPress theksoi se ndarje e pagave të 13-ta për menaxhemntin nuk është në rregull, në rast se ka ndodhur një gjë e tillë, ai thotë se kjo duhet të arsyetohet nga menaxhmenti. Mustafa thotë se nuk ka njohuri për ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm.