Arbëri

Shumë manifestime në Tiranë për Ditën e Verës

Tirana do të festojë nesër Ditën e Verës. Për këtë 14 Mars, Bashkia e Tiranës ka menduar një sërë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat të shpërndara në gjashtë zona të ndryshme, të cilat do të nisin që në orët e para të ditës dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës njofton qytetarët se nga sot, në mesnatë dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Hotel Dajtit deri te korpusi i ministrive. Po ashtu, do të kufizohet qarkullimi edhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, segmenti Vaso Pasha – Ibrahim Rugova, në Rr. Brigada VIII segmenti Vaso Pasha – Ibrahim Rugova dhe Sheshi “Nënë Tereza”.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet si më poshtë:

• Tek ura që lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”, lëvizja e mjeteve nga sheshi Nënë Tereza – Ura e madhe do të jetë me drejtim majtas në urën e Lanës.

• Përsa i përket bllokimit të Rr. Pjetër Bogdani dhe Rr. Brigada VIII segmentit Vaso Pasha – Ibrahim Rugova, qarkullimi do të bëhet në rrugët Vaso Pasha – Ibrahim Rugova.

• Përsa i përket bllokimit Sheshi Nënë Tereza, qarkullimi do të bëhet në rrugët Lek Dukagjini dhe Abdyl Frashëri.

• Në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”, drejtim i detyruar djathtas.

• Mjetet e transportit publik në rrugën “Ibrahim Rugova” do të devijohen në unazën e mesme nëpërmjet urës tek Taivan.

Festa do të nisë në orën 09:00 me inaugurimin e Pazarit të Ri, i cili është transformuar tërësisht në një hapësirë multifunksionale, që do të shërbejë jo vetëm si markatë për qytetarët e Tiranës, por në të njëjtën kohë edhe si një zonë tërheqëse për të kaluar pasditen. Në këtë zonë do të organizohet Këndi i Fëmijëve te Pikturës, koncerti i Ansamblit të Operas dhe Baletit, ndërsa pasdite do të ketë muzikë live.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët e Tiranës që të ndjekin koncertin e madh festiv që do të organizohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Parkut Rinia në orën 11:00, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë, Alban Skënderaj, Marsela Çibukaj, Klajdi Haruni & Bruno.

Lojëra, argëtime, panairi i biznesit, karnavalet, Bienalja e Akuarelit me 400 artistë të huaj dhe "super street party" janë disa prej aktivitetet që do të zhvillohen në Tiranë më 14 mars, duke e kthyer kryeqytetin në epiqendrën e festimeve për Ditën e Verës.

Image