Arbëri

Projektligji për Prishtinën merr miratimin e Komisionit të Kuvendit

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka shqyrtuar projektligjin për Prishtinën, ku ka marrë mbështetje nga anëtarët e Komisionit nga të gjitha partitë.

Projektligji u mbështet në mënyrë unanime dhe iu përcoll Kuvendit për shqyrtim në lexim të parë, transmeton kp.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal Bashkim Krasniqi tha se karakteristikat e projektligjit janë pushteti shtesë për kryeqytetin, buxhet shtesë për kryeqytetin.

“Kryeqyteti do të ketë kompetenca shtesë, drejtoria e Policisë themelon njësinë e Policisë për kryeqytetin, spitalin e kryeqytetit, menaxhimin e ndërmarrjeve publike Projektligji i kryeqytetit paraqet implikime shtesë buxhetore, 4.1 për qind e grantit të përgjithshëm të komunave”, tha Krasniqi.

Deputetja e VV-së Shqipe Pantina tha se projektligji plotëson kushtet pasi Prishtina duhet të ketë trajtim tjetër nga komunat tjera pasi shërbimet administrative e diplomatike janë të koncentruara në kryeqytet.

Pantina theksoi duhet të lihen anash fushata dhe të mos mendojnë kush e udhëheq por ta mbështesin.

Deputeti i Nismës për Kosovën Milaim Zeka theksoi se është lajm i mirë ardhja në Kuvend e këtij projektligji derisa beri fajtor LDK-në e PDK-në të cilat tha se e kanë dhunuar kryeqytetin për 17 vjet dhe nuk kanë bërë asgjë për të.

Mbështetje këtij projektligji i ka dhënë edhe LDK-ja, ku deputeti i saj Imet Rrahmani tha se do të japin maksimumin për të bërë një projektligj të mirë për Prishtinën.

Ai theksoi se është sfidë e madhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës për dy vite duke pasur parasysh implikimet buxhetore.

Riza Shillova nga Policia e Kosovës tha se ata kanë dhënë komentet e tyre rreth projektligjit për kryeqytetit. Ai tha se në parim janë për t’i forcuar kapacitetet e Policisë për sigurinë në Prishtinë, por tha se ky ligj duhet të jetë në harmoni me ligjin për Policinë dhe Kushtetutën.

Shillova tha se kompetencat e policisë rregullohet me ligjin e Policisë dhe jo me ligje tjera siç parasheh projektligji për Prishtinën që Policia ta themelojë drejtorinë rajonale për kryeqytetin.

Prandaj sipas tij kjo duhet të harmonizohet me Ligjin e Policisë.

Kryetari i Komisionit Nait Hasani tha se ky projektligj nuk i plotëson kriteret për të qenë ligj për kryeqytetin. Por tha se do ta kalojnë mirëpo duhet që përmes diskutimeve publike ta ndryshojnë ndoshta deri në 50 për qind këtë projektligj.