Arbëri

Gështenjat e Tropojës më të kërkuarat në Evropë

Gështenjat e zonës së Tropojës, në skajin më verior të Shqipërisë, janë ndër të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Studime të shumta kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale. Dhe po t’u shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin natyral organik dhe freskia e Alpeve ku ato rriten, pa diskutim i bën ato akoma më unike në shije, shkruan agroweb.org.

Sot gati e gjithë sasia e mbledhur nga masivi i pyjeve të gështenjave të Tropojës shkon për eksport, ku kryeson Italia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Në tregun e huaj gështenjat shqiptare shiten disa fish më shtrenjtë se në vend duke sjellë një tkurrje të plotë të pranisë së këtyre gështenjave në tregun shqiptar.

Në Shqipëri prej disa vitesh funksionojnë pesë kompani që mbledhin gështenja për eksport drejt tregjeve të huaja. Kërkesa e tregut vendas mbetet e lartë dhe kjo tregon mundësi për zhvillim të gështenjave shqiptare për eksport, por sidomos për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm. Gështenjat shqiptare në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë dhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha. Agroweb.org raporton se brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë të madhe numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.

Por sidomos masivi i gështenjave të Tropojës ka nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje.