Arbëri

Suedia përkrah Kosovën në procesin integrues

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha sot ka pritur në takim, të ngarkuarin me punë të Ambasadorit të Mbretërisë së Suedisë për Kosovën, Anders Wollter, me të cilin ka diskutuar rreth procesit integrues, të arriturat dhe sfidat e këtij procesi, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Pasi theksoi përkushtimin për dinamizmin e procesit integrues, Hoxha, vuri në dukje prioritetet ndër të cilat janë, zbatim i MSA-së, fuqizimi i sundimit të ligjit, reforma konform rekomandimeve për këtë proces si dhe liberalizimin e vizave.

“Dinamizmi i procesit është përmbajtjesor dhe gjithëpërfshirës. E ardhmja jonë është e përcaktuar dhe për këtë kemi konsensus nacional. Përgjegjësitë tona do t’i kryejmë dhe presim integrimin e plotë të vendit tonë në institucionet ndërkombëtare”, theksoi ajo.

I ngarkuari me punë i Ambasadorit për Kosovën, Anders Wollter, vlerësoi angazhimin e institucioneve për procesin integrues, duke ofruar mbështetje në këtë proces.

Intensifikimi i bashkëpunimit dhe përkrahjes së procesit integrues nga Mbretëria e Suedisë, sipas Ministres Hoxha, do të shënojnë përparim dhe arritje të re me interes për vendin dhe qytetarët tanë, duke i kontribuar realizimit sa më të shpejt të këtij prioriteti qeverisës.