Arbëri

Vazhdon rënia e çmimit të banesave në Shqipëri

Ndërtuesit në Shqipëri presin që çmimet e banesave të thellojnë rënien edhe në tremujorin e tretë të vitit. Në një anketim që Banka e Shqipërisë bëri me bizneset e sektorit gjeti se çmimet kishin pësuar rënie me 7% në tremujorin e tretë.

Por ndërkohë indeksi i çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave në gjashtëmujorin e parë kishte pësuar rënie me -11.5%, shumë më tepër se sa parashikimet e ndërtuesve për këtë periudhë, të cilët prisnin që ulja të ishte më e lehtë, rreth 1.2%, shkruan ‘Monitor’.

Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, Banka e Shqipërisë e vlerësoi tregun e banesave me vlerën më të lartë të rrezikut për gjendjen financiare të individëve.

Në një sqarim të posaçëm për ‘Monitor’, BSH sqaroi se në fund të qershorit 2017, në krahasim me një vit më parë, është vërejtur rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme kundrejt trendit të saj afatgjatë. Kjo, sipas ekspertëve të bankës nënkupton që “pasuria” e individëve është disi më e ulët, dhe kjo vlerësohet si rrezik i shtuar në metodologjinë që përdor banka për të matur gjendjen financiare të individëve. Nga ana tjetër, edhe pritshmëritë e individëve për 12 muajt e ardhshëm (për çmimet, punësimin) dhe sipas vrojtimit përkatës të konsumatorit, kanë qenë disi më të ulëta.

“Të dy këta faktorë, nuk kanë qenë në përmasa të tilla sa të ndryshojnë klasifikimin e përgjithshëm të rrezikut si “i moderuar”, por kanë ndikuar në rritjen e tij brenda kategorisë”, vlerëson BSH. Në deklaratën e stabilitetit, tregu i banesave për individët mori notën më të lartë të rrezikut në krahasim me një vit më parë.

Në tregun e pasurive të paluajtshme, të dhënat dhe vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie të çmimit të banesave, kryesisht në vijim të rritjes së kapaciteteve të strehimit.

Ndërtuesit perceptojnë se rritja e ofertës për banesa, për shkak të riorientimit të investimeve në ndërtim, mund të çojë çmimet në ulje.

Image
Image