Arbëri

Patologu serb i gatshëm të marrë pjesë në gjykimin e Haradinajt

Shefi i Zyrës së Trupit Koordinues për jugun e Serbisë patologu Zoran Stankoviq, thotë se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës për të qenë ekspert gjyqësor në gjykimin e Ramush Haradinajt.

Ai do të shkonte në Francë për ta arsyetuar dokumentacionin që e ka dërguar Serbia për Ramush Haradinajn, i cili, sipas aktakuzës serbe të vitit 2004, dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999, transmeton Koha.net.
"Detyrimi ynë është të themi atë që e kemi ditur dhe konstatuar gjatë obduksionit", ka thënë Stankoviq për Sputnjik rus, njoftojnë medie serbe.

Stankoviq ka konfirmuar se ekzistojnë dëshmitarë se Ramush Haradinaj, jo vetëm sipas përgjegjësisë komanduese por edhe vetë personalisht ka bërë krime.

"Kjo është e vërtetë. Dëshmitë që i ka mbledhur shteti gjenden në dokumentacionin shtetëror dhe tani dëshmitë duhet paraqitur para gjykatës përkatëse, por për shkak të situatës që ka qenë me dëshmitarët në periudhën e shkuar, emrat e dëshmitarëve të tjerë fshihen që të mos e kenë fatin e atyre që më parë i kanë ditur këto gjëra", ka thënë Stankoviq.

Ai ka përsëritur se nuk do të habitej sikur Haradinaj të lirohej. 
Haradinaj, ish- kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndalur më 4 janar të këtij viti në Francë me fletë arrest të Serbisë e cila më pasi bëri edhe kërkesë për ekstradimin e tij në Beograd.

Haradinaj, në vitin 2012, nga Tribunali i Hagës është liruar nga të gjitha aktakuzat për krime lufte në Kosovë.