Arbëri

Parashihen zgjedhje të parakohshme në Shqipëri

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme, referuar situatës aktuale në vend. Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së, para të rinjve ajo tha se “shqiptarët do të zgjohen”.

“Shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme sepse shqiptarët do të zgjohen dhe janë të bindur që nuk mund të përfqësohen në Parlament nga 74 karrige që i kanë blerë me paratë e drogës e krimit, e atyre djemve që kanë humbur jetën në trafiqe kaq të rrezikshme për të mbytur varfërinë ekonomike që ka pllakosur”, tha Kryemadhi.

Ajo i bëri thirrje të rinjve që të nisë një front i madh ku të takohen edhe derë më derë me njerëzit, qoftë dhe “për të kërkuar falje për sjelljen e gabuar në 27 vjet, por dhe duke i dhënë besimin dhe shpresën shqiptarëve që ka ardhur një ditë e re”.

Së fundmi ajo kishte dhe një thirrje të drejt për drejtë për kryeministrin Rama.

“Ai ka rënë moralisht si kryeministër, si politikan, të ikë sa më shpejtë, t’i hapë rrugën dikujt tjetër, një njeriu më të përgjegjshëm që e do vendin më shumë se ai, që beson të vendi dhe më të pavarur qoftë nga krimi, qoftë nga droga, qoftë dhe nga fiksimet e veta mendore”.