Arbëri

Të rinjtë e Kosovës me platformë informuese për të drejtat e tyre

Një platformën elektronike që është lansuar në Kosovë nga UNICEF-i dhe Zyra e Avokatit të Popullit, u mundëson kosovarëve të rinj, të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe më të lehtë, për t’i kuptuar të drejtat tyre ligjore, por edhe të komunitetit ku jetojnë.

“Platforma është shumë e rëndësishme për të rinjtë sepse i mëson ata se si të avokojnë për të drejtat e tyre, për të drejtat e familjes dhe të komunitetit”, i tha sot RTK-së, Brandao Co, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, sipas të cilit, “ideja për të lansuar këtë platformë lidhet me rininë kosovare që është potencial i madh për vendin”.

Në Kosovë, sipas statistikave demografike, rreth 70 për qind e popullsisë rezidente është nën moshën 31 vjet. Edhe platforma e hartuar më herët dhe e lansuar sot nëpërmjet një video-spoti, në fokus ka rininë nga mosha 16 deri 28 vjeç.

Sipas Co, platforma informuese për të drejtat e të rinjve është online, dhe se qëllimi ka qenë që kjo ide të arrin më lehtë tek të rinjtë që e shfrytëzojnë më shumë internetin.

Avokat i Popullit, Hilmi Jashari tha se ideja e kësaj platforme ka qenë që të rinjve, t’u kthehen në terminologji miqësore dhe jo juridike të drejtat e tyre në mënyrë që t’i kuptojnë më lehtë. "Kjo iniciative e UNICEF-it, si aplikacion instalohet në telefon...”, tha ai.

Sipas Jasharit, platforma informuese përfshinë periudhën nga mosha 16-28 vjeç, që është një moshë rinore që përballet me autoritetet publike, politike por edhe studimore. “Nga periudha kur e kemi plasuar në internet është vizituar 52 mijë herë nga të rinjtë, dhe kjo dëshmon se Kosova ka pasur nevojë për një platformë të tillë”.

Ndërsa Hana Sahatqija, udhëheqëse e sektorit për rini në UNICEF, tha se kjo platformë informuese e cila sot mundësohet edhe nëpërmjet një videoje, është punuar gjatë në koordinim me Ombudspersonin dhe është zhvilluar brenda laboratorit inavativ. Edhe ajo tha se qëllimi ka qenë që të kuptohet shumë lehtë nga të rinjtë.