Arbëri

KMDLNj viziton deputetin Zeka në Qendrën e Ndalimit

Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë vizituan deputetin e ndaluar Milaim Zeka që është duke u mbajtur në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Sipas KMDLNj-së, vizita kishte për qëllim të sigurimit të informatave nëse të ndaluarit i janë shkelur të drejtat e njeriut që nga çasti kur është arrestuar deri në kohën kur u vizitua nga KMDLNj.

“I ndaluari M. Z i ka deklaruar KMDLNj –së se është lajmëruar në Polici me ftesë të Policisë dhe se është intervistuar në prani të avokatit dhe se nuk ka asnjë ankesë në sjelljen e policisë gjatë intervistimit. M. Z i ka deklaruar KMDLNj-së se arrestimit i ka paraprirë një linçim publik medial ndaj tij dhe familjes dhe se arrestimi ka qenë i koordinuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj-së, gatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit i ndaluari M. Z nuk ka asnjë vërejtje në sjelljen e stafit dhe nuk konsideron se ndaj tij në këtë qendër ka ndonjë veprim nga stafi që ia shkelë të drejtat e personit të ndaluar.

Zeka nuk ka deklaruar se ka ndonjë problem shëndetësor.

“Për KMDLNj –në është me rëndësi që nga çasti kur është arrestuar e deri kur është vizituar nga monitoruesit është respektuar procedura dhe të gjitha veprimet janë në përputhje me të drejtat ligjore dhe të drejtat e njeriut dhe se konstatimi i KMDLNj –së është me rëndësi se janë respektuar të drejtat e njeriut në këtë rast dhe se i ndaluari ka qenë i njoftuar me të drejtat që i takojnë edhe në momentin e arrestimit sikur edhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit”, thuhet në komunikatë.

Edhe në këtë rast, KMDLNj thërret Ministrinë për Punë të Brendshme dhe Drejtorin e Policisë që në kuadër të mandatit dhe mundësive të gjejnë një zgjidhje që të përmirësohen kushtet për stafin që punon në këtë qendër si dhe për të ndaluarit e të cilat nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara.

Kujtojmë se deputeti Zeka u arrestua ditën e djeshme si i dyshuar për mashtrim për viza.