Arbëri

Japonezët rendisin Beratin si një ndër vendet kryesore që duhet vizituar

Descriptive Text

10 operator turistikë japonezë dhe disa përfaqësues të medias japoneze vizituan Shqipërinë gjatë fundjavës për tu njohur me vlerat turistike, kulturore, historike dhe kulinare të vendit tonë.

Udhëtimi familjarizues i operatorëve turistik dhe përfaqësuesve të medias japoneze u organizua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, në bashkëpunim me zyrën e Kooperacionit Japonez “JICA”.

Ky udhëtim u be i mundur në vijim të pjesëmarrjes për të dytin vit radhazi në panairin JATA EXPO Tokyo 2017 të AKT, si pjesë e programit të bashkëpunimit me JICA, ambasadën tonë në Japoni dhe vendet e tjera të Rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnja e Mali I Zi.

Gjatë dy ditëve të qendrimit të grupit japonez në vendin tonë AKT organizoi gjithashtu një workshop në ambjentet e Hotel Tirana International, ku pjesëmarrës ishin dhe shumë prej operatorëve më të mirë shqiptarë, të cilët operojnë me vende të ndryshme të Europës të interesuar gjithashtu të rrisin numrin e “incoming” edhe me tregun japonez.

Vizita vijoi me një tur në kryeqytet ku operatorët vizituan disa prej hoteleve kryesore të Tiranes ku u prezantuan me ofertat hoteliere, kapacitetin e tyre dhe cilësinë e shërbimit.

Gjatë mbrëmjes grupi japonez pati mundësinë të degustojë dhe gatimet tradicionale të vendit tonë pranë një prej restoranteve Slow Food të kryeqytetit, ku i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Japonisë në vendin tonë Makoto Ito.

Kuzhina shqiptare u vlerësua shumë nga të pranishmit dhe u cilësua si një vlerë e fortë promovuese që e bën akoma më tërheqës produktin turistik që ofrohet nga operatorët e ndryshëm shqiptar.

Pjesë e turit të organizuar nga AKT ishte dhe vizita në qytetin e Beratit , per të cilin operatorët turistikë por edhe mediat japoneze shprehën vlerësim maksimal duke e renditur në vendet kryesore që duhet vizituar për vlerat historike e kulturore si dhe për gatimet tradicionale që ofron kjo zonë, gatime të cilat së bashku me një degustim vere, të pranishmit mundën t’i shijojnë nëpërmjet vizitës në kantinën Çobo.

Këto ture familjarizuese me media dhe operatorë të huaj bëjnë të mundur promovimin e drejtpërdrejt të zonave dhe produkteve turistike shqiptare në vende të ndryshme të botës duke synuar një turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor që përfshin çdo zonë të Shqipërisë.