Arbëri

Maqedonia, mes qeverisë së re dhe destabilizimit

Programi i qeverisë së re i prezantuar nga kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, i cili është në pritje të mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov, ka nxitur reagime të shumta.

Ai gjatë paraqitjes para opinionit të premten tha se programi i tij garanton të ardhmen e vendit, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik, raporte të mirë ndëretnike, gjyqësor të pavarur, zbardhjen e të gjitha proceseve gjyqësore që besohet të jenë të montuar për motive të ndryshme, e çështje tjera.

VMRO DPMNE-ja programin e quajti “pamflet politik” që synon zbatimin e platformës së partive shqiptare të arritur në Tiranë dhe rrënimin e karakterit unitar të shtetit. Programi parasheh avancimin e gjuhës shqipe, por nga BDI-ja shprehën vërejtje se me të nuk parashihet përdorimi i shqipes në kartëmonedha dhe uniformat e policisë.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike, programin e shohin si hap drejt zgjidhjes së krizës, e në veçanti të asaj institucionale, me të cilin hidhen poshtë pretendimet para së gjithash të VMRO DPMNE-së, se gjoja shumica e re parlamentare synim parësor ka federalizimin, kantonizimin apo aplikimin e dygjuhësisë në shtet.

Sefer Taniri, profesor i Komunikimit në Universitetin Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se programi qeveritar i pretendentit për kryeministër, Zoran Zaev, është i bazuar në Kushtetutën aktuale dhe jo në platforma politike të hartuara jashtë vendit, siç pohon Nikolla Gruevvski.

“Vlerësoj se të gjitha këto manipulim apo tentime për të mjegulluar opinionin publik maqedonas, për të ngritur tensione etnike, për të ngritur artificialisht nacionalizmin maqedonas, me kohë do të zmbrapsen, do të zbehen, sepse në fakt nuk bëhet fjalë për tentim për ndarje të Maqedonisë apo për kantonizim të saj, por për një përpjekje që Maqedonia përfundimisht të bëhet shtet i përbashkët dhe i barabartë për maqedonasit dhe shqiptarët”, thotë Tahiri.

Ai shton se reagimet e ashpra që vijnë nga VMRO DPMNE-ja nuk kanë aspak të bëjnë me përmbajtjen e programit qeveritar, porse ai përdoret nga ana e tij për të mashtruar opinionin me qëllim të zhvendosë vëmendjen nga problemet reale, e që, sipas tij janë krimet që po hetohen për zyrtarët shtetërorë, përfshirë edhe Nikolla Gruevskit.

“VMRO DPMNE-ja gjithë këtë frikë që tenton ta imponojë tek opinioni maqedonas, gjoja se platforma e partive shqiptare, e cila në një pjesë të saj do të jetë pjesë edhe e programit qeveritar bëhet më tepër për motive jo vetëm politike, por edhe për motive që në një farë mënyre t’i iket drejtësisë, t’i iket Prokurorisë Speciale dhe të amnistohet kriminaliteti apo veprat e dyshuara për krime që janë bërë gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE-së”, thekson Tahiri.

Ai, gjithashtu, vlerëson edhe pjesët e programit që kanë të bëjnë me përfaqësimin, sistemimin e mijëra administratorëve që marrin paga duke ndenjur nëpër shtëpitë e tyre, programin ekonomik për zhvillim të barabartë rajonal, sikurse edhe çështjen e mediave që synon pavarësimin e tyre dhe garantimin e lirisë së shprehjes.

Programi i prezantuar nga kreu i LSDM-së, sipas Nano Ruxhin, njohës i çështjeve politike dhe ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, është pro perëndimor, për zgjidhjen e problemeve të brendshme etnike, zbatimin e reformave dhe krijimin e kushteve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Një hap i këtillë pritej nga Zoran Zaev, si i tillë mbështetet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Vlerësoj se bëhet fjalë për një program qeveritar evropian me përparësi dhe qëllime për vendin në rrugën e integrimit euroatlantik. Sundimi i së drejtës, rikthimi i demokracisë së humbur, konsolidimi i raporteve ndëretnike dhe zhvillimi ekonomik, vlerësoj se janë themelet e këtij programi që garanton të ardhme”, vlerëson Ruzhin.

Edhe ai nuk beson se Gruevski do të arrijë të shkaktojë trazira të përmasave të mëdha. Ai thotë se qëllimi i grupit rreth tij, por edhe i vetë ish -kryeministrit është që ta shpëtojë veten e tij, andaj për të arritur këtë, ai mund të nxisë edhe incidente.

“Mendoj se pavarësisht thirrjeve të Gruevskit, mendoj se tani ai i takon historisë dhe se ai tani po lufton për të shpëtuar veten e tij dhe është i kuptueshëm kërcënimi i tij. Por, populli nuk do t’u përgjigjet thirrjeve të tij pasi e ka kuptuar se bëhet fjalë për manipulim, andaj edhe nuk do të përfshihet në gjakderdhje. Mund të ketë incidente sporadike, por assesi kaos në shtet, të cilin e dëshiron Gruevski”, thotë Nano Ruxhin.

Zoran Zaev në paraqitjen e tij të premten tha se beson se tanimë presidenti Gjorge Ivanov nuk do të ketë dilema se kush angazhohet për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit e kush për rrënimin e tij, andaj edhe pret nga ai që sa më parë t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re mes partisë së tij, LSDM, dhe partive shqiptare./REL