Arbëri

Deputeti i PD-së bllokon foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi e përjashton

Deputeti demokrat Flamur Noka ka bllokuar foltoren e Kuvendit, pak pasi kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka zbatuar rregulloren duke i ndërprerë fjalën ish-kryeministri Berisha, teksa minutazhi i tij ka përfunduar.

Noka ka kërkuar fjalën për procedurë, ndërkohë që deputeti i LSI-së Shezai Rrokaj përgatitej të mbante diskutimin që kishte përgatitur.

Megjithatë, deputeti Noka, i mbështetur edhe nga disa kolegë demokratë, nuk largoheshin nga foltorja, duke i kërkuar llogari Ruçit të zbatonte rregulloren. Në këtë mënyrë, Ruçi e ka përjashtuar Nokën nga Kuvendi.

Pati debat e tension dhe Ruçi vendosi përjashtimin nga seanca të deputetit demokrat dhe caktoi 5 minuta pushim që Noka të dilte nga Kuvendi.

Pas këtij momenti, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ka thënë se bëhet fjalë për një skenar të parapërgatitur nga opozita.

“Ne po bëhemi dëshmitar të një skenari të parapërgatitur në çdo seancë. Sapo fillon seanca PD shpik një arsye për të bllokuar punimet e kuvendit me shpërdorim të njëjapasnjëshëm të deputetëve. Seancën e kaluar u shpërdorua Basha, sot u shpërdorua Noka. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Na vjen keq që PD është kthyer në të njëjtin skenar anti-parlamentar kur të kemi parasysh dy çështje të rëndësishme, – tha Balla. – Ne nuk kemi kohë për të humbur, pasi qytetarët kërkojnë punë e shërbime. Ky bllokim nuk i bën mirë vendit. Historia që kjo është tokë e ‘xanun’ ka marrë fund. Asnjë deputet nuk ka të drejtë të pushtojë dhe thyejë rregulloren e Kuvendit”.