Arbëri

Kronikë e KTV-së për “Paradën e Krenarisë”

Ai thotë se nuk është ndryshe nga të tjerët, pavarësisht që çdo ditë përballet me shikime të tilla. Ka frikë se familja nuk do ta pranojë të tillë siç është, por sot, ndonëse i maskuar, i është bashkuar ‘Paradës së Krenarisë”, në përpjekje të sensibilizimit të opinionit se të drejtat dhe ndjenjat e tyre duhet respektuar, raporton KTV.

Përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë e ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituara në Kosovë u bashkuan në këtë aktivitet.

Në paradë nuk u panë kryeministri e as kryeparlamentari.

Në nisje të aktivitetit mori pjesë edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se erdhi aty për të shprehur përkrahje për këtë komunitet dhe për të konfirmuar edhe njëherë se në Kosovë të gjitha komunitetet janë të barabarta. Nga sheshi “Skënderbeu”, nën tingujt e muzikës, me flamuj që simbolizojnë njerëzit me orientime të ndryshme seksuale e nën moton e “Paradës së Krenarisë”, qindra veta nisën marshin drejt shesheve të kryeqendrës.

Masat e sigurisë nuk ishin të shumta, e vëmendja e mediave ishte përqendruar në tri sheshet kryesore të Prishtinës.

Qytetarët në heshtje kanë parë Paradën e parë të komuniteti LGBTI në Kosovë. Pati të atillë që edhe e kundërshtuan. Disa të rinj mbajtën flamuj me një shenjë të kuqe si simbolikë e kundërshtimit të marshimit të komunitetit LGBTI.

Marshi ishte i qetë dhe ne ia dolëm, ishin fjalët që Lendi Muspha, 21-vjeçar, tha para masës.

Krenar me paradën është ndjerë edhe ambasadori Greg Delawie, i cili tha se do të vazhdojë mbështetjen ndaj këtij komuniteti. Me këtë Paradë është përmbyllur edhe “Java e Krenarisë” që nis më 6 tetor.