Arbëri

Lunaçek kërkon të vazhdohet dialogu, Beogradit i kërkon të tërhiqet nga fletëarresti për Haradinajn

Descriptive Text

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, të premten i ka bërë thirrje Beogradit që të tërheqë, siç thotë, akuzën e vjetruar kundër liderit të AAK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, të cilin Serbia e akuzon për kinse krime lufte, ndërsa Prishtinës i bëri thirrje që të vazhdojë procesin e dialogut.

Ajo duke reaguar ndaj rezolutës së djeshme të Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet lirimi i pakusht i Haradinajt dhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë derisa kjo kërkesë të mos përmbushet.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojnë procesin e dialogut. Serbia duhet të tërheqë fletëarrestin e vjetruar ndërkombëtar kundër Ramush Haradinajt”, ka shkruar Lunaçek në Twitter.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje me 78 vota për dhe një kundër rezolutën për lirimin e pakusht të liderit të AAK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë me kërkesë të Serbisë për kinse krime lufte gjatë luftës në Kosovë, transmeton KP. Përveç saj, kërkohet që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të ngrihet deri në lirimin e Haradinajt dhe kthimin e tij në Kosovë.