Arbëri

Lekaj thotë se do të përkrahë çdo projekt në Deçan

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj vizitoi Komunën e Deçanit, ku u prit nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Sami Cacaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë komunalë, ndërsa i pranishëm ishte edhe kandidati i AAK-së për kryetari të Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Para këtij takimi, Lekaj vuri kurorë lulesh në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, si dhe u nënshkrua në librin e kujtimeve.

Në takimin e mbajtur me strukturat udhëheqëse të Deçanit, u bisedua për projektet infrastrukturës rrugore, që janë në realizim e sipër, por edhe për planet e ardhshme, të cilat konform synimeve të mëtutjeshme zhvillimore të komunës së Deçanit, për të cilat folën zyrtarit komunalë dhe menaxherët e projekteve që janë duke u realizuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Lekaj tha se edhe pse ka pasur kërkesa edhe më parë, projektet madhore infrastrukturore e kanë anashkaluar Deçanin, mirëpo tha se, planet që i ka shpalosur dje kryeministri i Kosovës, Haradinaj, në vizitën që i ka bërë Deçanit, do të implementohen me përpikëri dhe se projektet e planifikuara do të bëhen realitet.

“Ajo që mund të them para jush është se kemi një projekt prej 28 km, Deçan – Plavë, që lidhë Kosovën me Malin e Zi, i cili është një korridor që ka impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik, por që mundëson edhe një qasje të lehtë të qytetarëve”, tha Lekaj, duke përmendur edhe disa projekte që janë planifikuar dhe disa që do të përfundojnë këtë vit, siç është rruga Deçan – Gllogjan.

Më pas Lekaj e vazhdoi qëndrimin e tij në Deçan duke i vizituar punimet që janë duke u zhvilluar për ndërtimin e rrugës “Shaban Polluzha”.

“Sot jemi në Deçan që të inspektojmë punët që janë duke u zhvilluar dhe zotohemi para qytetarëve të Deçanit se do të jemi të saktë në projekte, në zhvillimin e tyre, të cilat kanë impakt pozitiv për të gjithë qytetarët e Deçanit. Po ashtu jemi në një vend historik, në një vend të sakrificës, ne e nisëm këtë ditë duke bërë nderim para dëshmorëve të kombit në Gllogjan, para familjes Haradinaj dhe dëshmorëve të tjerë të kombit, që janë udhërrëfyese të punës sonë të përditshme se si ndërtohet shteti, se si punohet dhe sakrifikohet për atdheun. Sot jam këtu që t’iu them banorëve dhe kryetarit të Deçanit se ne do të jemi mbështetës te të gjitha projekteve që janë të domosdoshme për Deçanin, duke filluar nga rruga për Plavë, por edhe për të gjitha rrugët që janë të domosdoshme që ju të keni një qasje sa më të lehtë dhe më të mirë, kërkesa të kamotshme të kësaj ane, por edhe e kryetarit dhe ne konform kësaj zotohemi që në kohën më të shkurtër të mundshme do t’i mbështesim me buxhet dhe këto projekte, të cilat do të përfundojnë, sepse janë e mira e Deçanit dhe e qytetarëve të tij.​