Arbëri

Gjermania vazhdon të ofrojë bursa për studime e kërkime

Descriptive Text

Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) për studentët, të diplomuarit dhe doktorantët çdo vit ofron bursa të ndryshme për studime apo shkollime të mëtejme në Universitetet gjermane.

Në vitin 2016 DAAD mbështeti 131.229 persona nga të gjitha anët e botës, 50% nga të cilët janë femra. Mbështetja arriti 55.754 të huaj dhe 75.475 gjermanë. DAAD ofron financim për studentë, financim për të diplomuar, kandidatë të doktoraturës dhe hulumtues shkencorë, financim për mësimdhënës universitarë. Afatet për aplikimin e këtyre bursave variojnë.

Në vitin 2016 DAAD nëpërmes bursave të ndryshme ka mbështetur 108 studentë, të diplomuar, hulumtues shkencorë dhe mësimdhënës të shkollave të larta të të dy vendeve, nga këta 85 ishin kosovarë dhe 23 nga Gjermania.

Për vitin akademik 2016/2017 u shpërndanë kaq bursa nga DAAD për Kosovën:

Gjashtë bursa të DAAD-së për të diplomuar në të gjitha lëndët shkencore. Këto bursa u ofrojnë studentëve të programit Master mundësinë e studimeve në shkolla të larta gjermane të akredituara dhe diplomimin në një shkollë të lartë.

Tetë bursa për kurse verore në shkolla të larta gjermane për studentë dhe të diplomuar nga Kosova. Këto bursa shërbejnë për pjesëmarrjen në kurse të gjuhës, të qytetërimit gjerman dhe gjuhës në lami të caktuara.

Informata më të hollësishme mund të gjeni në www.funding-guide.de apo duke kontaktuar zyren ndërlidhëse të DAAD-së pranë Universitetit të Prishtinës.

Të mërkurën, më 11 tetor 2017, duke filluar në ora 11:00 në Amfiteatrin e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës përfaqësueset e Zyrës së Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik do të njoftojnë rreth bursave, të cilat ofrohen.