Arbëri

Haradinaj: Mekanizmat e sigurisë nuk kanë informacione se Rikallo ka kryer krime

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke raportuar në Kuvendin e Kosovës për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, për të cilin janë hedhur dyshime se ka kryer krime lufte në Kosovë, ka thënë se ka kërkuar informacione zyrtare nga mekanizmat përgjegjës lidhur me këtë çështje, dhe asnjë nga ta nuk ka paraqitur informacione për inkriminimin e Rikallos për dhunë ndaj shqiptarëve.

Haradinaj tha se bazuar në informacionet e dhëna nga Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë, Prokuroria Speciale, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe KMLDNj nuk ka raste të raportuara se Nenad Rikallo ka kryer dhunë ose tortura ndaj shqiptarëve, raporton KP.

Haradinaj ka lexuar përgjigjet e secilës nga mekanizmat e lartpërmendur:

“Drejtoria për inteligjencë dhe Analizë: Nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të PK-së. Nga Prokuroria Speciale kam marrë këtë përgjigje: Ju informojmë se në databazën e PSP nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione qe po qarkullojnë për personin Nenad Rikallo. AKI nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorinë e Shtetit për personin Nenad Rikallo. Sipas KMLDNj në buletinet e saj për vitin 1999-2000 nuk ka ndonjë dëshmi, deklaratë apo provë që inkriminon Nenad Reikallon për dhunë ndaj shqiptarëve”, tha Haradinaj, duke iu referuar përgjigjeve të këtyre mekanizmave të cilëve u është adresuar zyrtarisht në lidhje me përfshirjen e mundshme të Rikallos në krime lufte.