Arbëri

Quni: BE-ja duhet të na kuptojë se s’lejojmë që Serbia të nëpërkëmbë luftëtarët tanë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Anton Quni, ka thënë se disa herë është diskutuar në Kuvendin e Kosovës rreth rastit të Ramush Haradinaj, por i vjen mirë që kësaj here është arritur një unitet mes deputetëve që të harmonizojnë qëndrimet rreth një rezolute.

Ka thënë se pret që Qeveria ta zbatojë rezolutën që sot e nxori Kuvendi i Kosovës, e që në pikën e dytë të saj thuhet se duhet të ndërpritet dialogu me Serbinë deri në lirimin e plotë të Haradinajt.

Ka komentuar edhe kundërshtimin e BE-së, përkitazi me këtë rezolutë.

“Reagimi i BE-së është i kuptueshëm sepse ata kanë investuar shumë në këtë proces. Por edhe ata duhet të na kuptojnë neve se nuk lejojmë që luftëtarët, komandantët e shquar, liderët e shquar të nëpërkëmbët nga fletarrestet e lëshuara nga Serbia”, ka thënë Quni, në Interaktiv të KTV-së.

Ai nuk pret që BE-ja të acarojë marrëdhëniet me Kosovën.

“Mendoj se kjo do të bëjë që shtetet veç e veç të trajtojnë me mospërfillje fletarrestet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Quni.