Arbëri

Ka nisur periudha e votimit përmes postës

Deri tash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 25 mijë vëzhgues për zgjedhjet e 22 tetorit. Kjo u bë me dije në mbledhjen e sotshme të KQZ-së, të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.

Në këtë mbledhje, siç theksohet në komunikatën për media, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, paraqiti një raport lidhur me ecurinë e përgatitjeve të procesit zgjedhor. Ai bëri të ditur se ka filluar periudha e votimit përmes postës (bëhet fjalë për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosova) dhe se janë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim.

Përmes postës janë dërguar zarfe (që përmbajnë fletëvotimin në Zgjedhjet për kryetar dhe fletëvotimin në Zgjedhjet për kuvend komunal) dhe udhëzimet se si të plotësohen fletëvotimet. Numri i zarfeve që u janë dërguar votuesve jashtë Kosovës është 10 mijë e 476, aq sa janë votues të regjistruar suksesshëm në periudhën e aplikimit për regjistrim.

Gjithashtu, janë njoftuar edhe përmes e-mail adresës këta votues për periudhën e votimit përmes postës, e cila përmbyllet më 20 tetor 2017.

Komisioni Qendror i Zgjedhjevepo ashtu akreditoi grupin e radhës të vëzhguesve të Zgjedhjeve Lokale. Numri i vëzhguesve të akredituar gjatë ditës së sotme është: 21 mijë e 754 vëzhgues. Deri më tani numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është rreth 25 mijë vëzhgues.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëroi edhe anëtarët e këshillave të vendvotimit në të 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në 899 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 505 vendvotime.