Arbëri

Sonte mblidhet Kryesia, pritet caktimi i seancave të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar për sonte mbledhjen e Kryesisë, në një orë të pazakonshme – 21.

Në ftesën e publikuar, përmes të cilës njoftohen edhe përfaqësuesit e medieve, theksohet se më 28 shtator, në orën 21, mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare me këtë rend të ditës:

1. Propozim-vendimi për formimin e komisioneve parlamentare,

2. Caktimi i datës për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme,

3. Përgatitjet për seancë të re:

· Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

· Koha për pyetje parlamentare,

· Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

· Shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare,

· Interpelanca e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të LDK-së për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Nenad Rikalo.

4. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

Të rikujtojmë se opinioni dhe shoqëria civile kanë vënë re mosfunksionalizimin e legjislativit në përbërjen e re, që ka pasoja për proceset zhvillimore dhe raportet ndërkombëtare të vendit me bashkësinë ndërkombëtare.

Bie në sy po ashtu se jo të gjitha subjektet politike parlamentare kanë dhënë emrat për kryetarë e anëtarë të komisioneve të Kuvendit, një parakusht për funksionalizimin e tyre dhe për punën e Kuvendit. Është përmendur si shkak i kësaj angazhimi i zyrtarëve në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Bëhet e ditur se vetëm Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar zyrtarisht emrat për kryetarë e anëtarë komisionesh në Kuvendin e Kosovës. Ishte paralajmëruar për sot se LDK-ja do t’i dorëzojë emrat në Sekretarinë e Kuvendit. Po ashtu është thënë se edhe PDK-ja se do t’i dorëzojë më së largu deri të enjten në mëngjes.

Kryetari Kadri Veseli kishte deklaruar se nuk do të thërrasë mbledhjen e Kryesisë pa u kompletuar të gjithë emrat.

Burimet e Koha.net as nuk e pohojnë, as nuk e mohojnë përmbushjen e këtij kushti. Por, fakti se tashmë është ftuar mbledhja e Kryesisë, shkon në favor të plotësimit të tij.