Arbëri

Haradinaj u takua me Bashën e Berishën

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shqipëri është pritur në takime të ndara nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe nga ish -Presidenti dhe ish- kryeministri, Sali Berisha.

Gjatë takimit ka uruar kryeministrin kosovar për marrjen e detyrës së re, duke i ofruar përkrahje edhe më tutje në proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, në këtë fazë.

Haradinaj shprehu mirënjohjen për përkrahjen që ka marrë në vazhdimësi ai dhe Kosova, nga institucionet dhe partitë politike të Shqipërisë, në të gjitha fazat e rëndësishme, si para po ashtu edhe pas pavarësisë.

Ish- kryeministri Berisha, e ka uruar kryeministrin Haradinaj për detyrën siç tha ai jashtëzakonisht të rëndësishme, për punët që e presin përpara për t'i zgjidhur për Kosovën dhe për mbarë shqiptarët. "Pavarësisht nga kufijtë që kemi, interesat në shumë drejtime janë të njëjta. Kam besim të madh që z. Haradinaj dhe Qeveria e tij do të realizojnë një agjendë e cila është në interes më të madh të popullit të Kosovës, por dhe mbarë shqiptarëve", tha Berisha.

Haradinaj, tha se Kosova ka pasur nder që Berishën ta thërrasë president.

"Kemi bashkëpunuar në çdo kapacitet tjetër dhe si kryeministër i Shqipërisë, si kryetar i PD së. Në Kosovë e kemi ndjerë dashurinë e presidentit Berisha për Kosovën. E ndjejmë edhe sot. Po ashtu jemi vërtetë të nderuar ta ndajmë një kohë bashkë duke pasur parasysh që ka udhëhequr me Shqipërinë në procese të transformimit të vet, në procese jetike të anëtarësimit në NATO dhe në procese tjera. Njëkohësisht kosovarët përjetësisht do të jenë falënderues presidentit Berisha që në kohën e qeverisjes së tij me Shqipërinë rruga e kombit është bërë realitet", tha Haradinaj.