Arbëri

Çfarë ndodhi në korridoret e Gjykatës pas seancës ndaj Gani Gecit

Me pretendimet për një kërcënim të ri, ka përfunduar seanca e Gjykatës së Apelit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, për rastin e të cilit është i dënuar Gani Geci, raporton KTV.

Gruaja e të ndjerit Shaqiri, pas përfundimit të seancës, tha se njëri prej vëllezërve të Gecit, e ka kërcënuar atë me fjalët ‘ruaj fëmijët’. Në përplasjen verbale që ndodhi në korridoret e Pallatit të Drejtësisë, është përfshirë edhe avokati Sokol Dobruna, që dikur udhëhiqte me Gjykatën Ushtarake të UÇK-së. Policia është duke e hetuar rastin.
 

E veja e Ruzhdi Shaqirit, Halime Shaqiri, pretendon se ka marrë një kërcënim nga njëri prej vëllezërve të Gani Gecit.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Pallatit të Drejtësisë, pas përfundimit të seancës së Gjykatës së Apelit për rastin e vrasjes së burrit të saj, Ruzhdi Shaqirit, për çfarë ishte dënuar Gani Geci me 4 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Vetë Halime Shaqiri, nuk ka dashur të flasë, por avokati i saj, Sokol Dobruna, që ishte prezent, tha se porosia ishte ‘ruaji fëmijët’.

Në fakt, fjalosja në korridor kishte nisur me Dobrunën, që gjatë periudhës së luftës udhëhiqte Gjykatën Ushtarake të UÇK-së.

Dobruna tregon se njëri nga vëllezërit Geci e ka pyetur atë për vendimin që kishte marrë gjatë luftës, për dënimin e vëllait të tij me pushkatim dhe për njerëzit që i kishte dërguar që ta burgosin atë.


Halime Shaqiri menjëherë u është drejtuar zyrtarëve policorë në pallat, derisa zyra për media e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për KTV-në se e kanë hapur rastin.

Në seancë, prokurori i Apelit, Marc Meslin, derisa ka kërkuar të hidhen poshtë ankesat e mbrojtjes, e ka quajtur të parëndësishëm aspektin historik të marrëdhënieve të Gani Gecit me tani të ndjerin, Ruzhdi Shaqiri.

“Mbrojtja nuk ka prezantuar asnjë argument ligjor, dhe është koncentruar në aspektin historik të mospajtimeve në mes viktimës dhe të pandehurit. Por kjo nuk vërteton asgjë për rrethanat në ditën kritike.”

Lidhur me dënimin, prokurori Meslin tha të mos ketë rrethana lehtësuese, por vetëm rënduese, derisa, sipas tij, edhe raporti psikiatrik, kishte konfirmuar se Geci, ishte mirë në aspektin mendor.
 

Ndrec Dodaj, avokat i Gecit, ka thënë se klienti i tij kishte jetuar për 15 vjet në frikë se do të vritej, e për këtë, ai drejtoi gishtin nga ata që i quajti bashkëpartiakë të avokatit Sokol Dobruna.

E, vetë Geci në fjalën e tij, tashmë viktimën Ruzhdi Shaqiri e ka quajtur një kriminel ordiner dhe e ka lidhur me një grup personash që, sipas tij, kanë bërë vrasje politike pas luftës.


Ruzhdi Shaqiri ishte vrarë më 4 gusht 2014, në një kafene në Skenderaj.

Gani Geci, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim në qershor të 2016-ës, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, për veprën penale vrasje e rëndë.