Arbëri

Vizat nuk rikthehen - krimi shqiptar, fryrje mediatike, thotë Ambasadori Bosch

Për ish-ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, i cili sapo ka mbaruar mandatin e ambasadorit të Holandës në Kosovë, vëmendja që ka marrë së fundi rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë është e gjitha fryrje mediatike.

“Siç e dini, para pak javësh në një gazetë holandeze u publikua një dokument i policisë së Amsterdamit, një dokument që fliste për të ashtuquajturën ‘rritje të mafies shqiptare në Holandë’. Oficeri i policisë në raportin e tij shkroi se, ndoshta duhet rimenduar regjimi i vizave, sepse po shohim se liria e vizave ka rritur krimin. Ky ishte një dokument i brendshëm, nuk ishte i destinuar për mediet, ndaj duke u bërë publik mori një vëmendje më të madhe se ç’duhej”, tha Robert Bosch, ish-ambasador i OSBE-së në Shqipëri, raporton Tch.

Pavarësisht kësaj, sipas tij nuk ka asnjë rrezik që në këtë valë emigracioni të rikthehet regjimi i vizave me Holandën.

“Duhet të mbetej në kufijtë e një dokumenti të brendshëm të policisë, pasi policët nuk janë diplomatë. Kemi një problem të madh me shqiptarët në Holandë. Të rinjtë përpiqen që të shkojnë me anije drejt brigjeve britanike në mënyrë ilegale. Në të shumtën e rasteve nuk ia dalin dhe jetojnë në rrugë. Ata nuk vjedhin, por ama pjesa më e madhe e njerëzve nuk e pëlqejnë që ata enden rrugëve të Holandës. Holandezët u kërkojnë policëve që t’i dëbojnë, por duke pasur regjim të lirë të vizave, policët nuk munden ta bëjnë këtë. Këta emigrantë tregojnë në këtë formë se as nuk e kanë idenë se ç’do të thotë regjim i lirë vizash, sepse mendojnë se mund të bëjnë gjithçka. Unë mendoj se, nëse ka krim, dhe krim ka kudo, nuk mund ta përgjithësojmë që janë shqiptarët ata që e bëjnë krimin në Holandë, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve janë njerëz të mirë. Kjo gjë u bë e madhe tani, ka shkuar deri në rang ministrish, por le të jemi të arsyeshëm: kriminelët e vërtetë nuk i ndal regjimi i vizave. Do të ishte shumë e padrejtë që njerëzit normalë të jetë viktimat dhe e gjitha kjo për faj të një polici”, tha Bosch.

Lidhur me perspektivën e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE, Bosch e sheh “dritën jeshile” pas 5 viteve.

“Nëse për emigrimin mund të them se jam ekspert i fushës, për integrimin nuk mund të them të njëjtën gjë. Kemi parë Juncker në Parlamentin Evropian që po punon shumë dhe tha se rruga është e hapur, por ama, unë mendoj se nuk do të ndodhë tani, do të ndodhë në 4-5 vitet e ardhshme”, tha Bosch.