Arbëri

Gjuriq: Kundërshtimi i formimit të Ushtrisë së Kosovës, sukses i madh i Serbisë

“Kundërshtimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës është padyshim sukses i madh diplomatik i vendit tonë”, ka deklaruar sot i ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq duke theksuar se “do të luftojmë kundër formimit të saj, sepse është kërcënim dhe rrezik për siguri, paqe e stabilitet në gjithë rajonin”, transmeton koha.net .

"Ky është pa dyshim sukses i madh diplomatik i Serbisë dhe ai nuk ka rënë nga qielli, është prodhim i punës me themel në atë që qëndrimet tona të sqarohen e të afrohen jo vetëm me vendet përkrahjen e të cilave kemi mundur të llogarisim, si Kina e Rusia, por edhe me vendet e NATO-s”, citon rts të ketë thënë Gjuriq.

Ai ka theksuar se kryeministri Aleksandar Vuçiq ka investuar në marrëdhëniet mira me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, edhe pse për këtë ai ishte kritikuar.

I pyetur nëse mjaftojnë vërejtjet që Kosova të heqë dorë nga qëllimi që pa vota të serbëve të formojë Ushtrinë, Gjuriq ka thënë se mesazhi i Beogradit është se nuk ka Ushtri të Kosovës.

"Nëse kundërshtimit të Beogradit, të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së, ia shtojmë edhe kundërshtimin e NATO-s e të Uashingtonit, atëherë është e qartë se ajo që ka planifikuar Hashim Thaçi nuk do të ndodhë. Do të luftojmë kundër formimit të saj për shkak se ajo është kërcënim dhe rrezik i sigurisë, paqes dhe i stabilitetit në tërë rajonin”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se formimi i Ushtrisë së Kosovës pos që është në kundërshtim me Rezolutën e KS të KB-së 1244 dhe me Marrëveshjen tekniko - ushtarake të Kumanovës, ajo rrezikon popullatën serbe të paarmatosur në Kosovë.

“Këtë Serbia nuk do ta lejojë kurrë”, ka thënë Gjuriq.