Arbëri

Këshillat gjyqësore të Kosovës e Malit të Zi merren vesh për shkëmbim përvojash

Descriptive Text

Prishtinë, 22 shtator - Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGjK), Nehat Idrizi, ka pritur sot një delegacion të Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi, të kryesuar nga prof.dr. Mlladen Vukçeviq, kryetar i tij. Pjesë e delegacionit ishin edhe Loro Markiq, anëtar, avokat nga Ulqini, dhe Radmilla Gjurishiq, këshilltare për marrëdhënie me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Në këtë takim morën pjesë edhe Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Nenad Llaziq, anëtar i KGjK-së, dhe Shkelzen Maliqi, drejtor i Sekretariatit të KGjK-së.

Sipas njoftimit për media, kryesuesi Idrizi fillimisht ka njoftuar delegacionin me funksionimin e sistemit gjyqësor, arritjet dhe sfidat, me të cilat ёshtё dashur të ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë. Më pas ai ka folur për reformën gjyqësore, vlerësimin e gjyqtarëve si dhe procesin e riemërimit të gjyqtarëve. Gjithashtu, ai përmendi disa qëllime kryesore që kanë për detyrë të rrisin efikasitetin e sistemit gjyqësor, ngritjen e besimit të qytetarëve.

Nga ana tjetër, kryetari Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi, prof.dr. Mlladen Vukçeviq, u shpreh i kënaqur me vizitën që po i bën Kosovës, si dhe prezantoi funksionimin e sistemit gjyqësor të Malit të Zi. Vukçeviq, gjithashtu, e përgëzoi kryesuesin e KGjK-së, Idrizi, për emërimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si anëtarë të bordit të Rrjetin Ballkanik dhe Euro – Mesdhetar të Këshillave Gjyqësor.

Në fund të takimit, dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e tyre për institucionet që ata drejtojnë për të këmbyer eksperienca pozitive.

Në kuadër të kësaj vizite delegacioni nga Mali i Zi do të vizitoi Këshillin Prokurorial të Kosovës, Fakultetin Juridik të Prishtinës si dhe Akademinë e Drejtësisë.