Arbëri

Kosova pjesëmarrëse në Forumin Global për Luftimin e Terrorizmit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në Cyrih të Zvicrës, mori pjesë në Sesionin e shtatë plenar kushtuar luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, të organizuar nga Forumi Global për Luftimin e Terrorizmit, njofton kumtesa ministrore, transmeton koha.net.

Hoxha, në panelin e Forumit, diskutoi për rrezikun nga terrorizmi global dhe theksoi përkushtimin për fuqizimin e sundimit të Ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar duke cekur në veçanti për punën rreth Kodit Penal, Procedurës Penale dhe zbatimin e dënimeve për veprat e lidhura me ekstremizmin.

“Jemi duke rishikuar legjislacionin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit. Ky rishikim ka prioritet ligjet të cilat japin efekte në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendi ynë, ka dhënë kontribut të veçantë edhe në luftën kundër terrorizmit duke iu bashkëngjitur aleancës globale kundër terrorizmit”, theksoi ministrja Hoxha.

Ajo mori përkrahje për angazhimin e vendosur për të mbështetur sundimin e ligjit, duke siguruar transparencë, qasje, llogaridhënie në sistemin e drejtësisë, vazhdimisht duke respektuar të drejtat e njeriut.

Në Sesionin plenar, u zhvillua diskutim substancial për çështjet e fokusuara në Planin e veprimit dhe komunikimeve strategjike. Diskutuesit, ranë dakord për të marrë përgjegjësitë për fushat kyçe dhe qasje bashkëpunuese.

Forumi diskutoi edhe për komunikimet strategjike, mediat sociale dhe ekstremizmi në internet si dhe u dhanë konkluzionet dhe hapat e ardhshëm me praktikat më të mira të miratuara nga Forumi Global për Luftimin e Terrorizmit.