Arbëri

Si do të funksionojë Vettingu

Descriptive Text

Organet e vettingut kërkojnë fonde dhe staf të posaçëm nga Kuvendi i Shqipërisë , ndërsa qeveria tashmë ka gati infrastrukturën për administratën e vettingut. Vetë kjo administratë ka kërkesa konkrete.

Komisioneri Publik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit kanë propozuar strukturat organizative dhe klasifikimin e pagave për personelin e tyre. Ata kërkojnë staf duke nisur nga drejtoritë ekonomike dhe burimet njerëzore, specialist, këshilltarë dhe përkthyes.

Komisioneri Publik do të ketë 52 punonjës. Detyra e 2 komisionerëve do të jetë ushtrimi i ankimimeve ndaj vendimeve të Komisionit të Kualifikimit, të bëjë raport me shkrim në rast se nuk zbatohen rekomandimet e Operacionit Monitorues Ndërkombëtar, si dhe rivlerëson dhe shqyrton deklaratat e subjekteve mbi të shkuarën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë pjesë të stafit 68 punonjës. Ky institucion është pjesë e sistemit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ka për qëllim garantimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si edhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Komisioni i kërkon Kuvendit 12 këshilltarë ligjorë dhe 4 ekonomikë. Sa i përket pagës, ligji përcakton që paga e tyre të jetë sa 80 për qind e pagës së komisionerit, por këtij pozicioni i njihet e drejta për pagesë shtesë për shkak të vështirësive, sipas rastit.

Ndërkohë, Kolegji i Apelimit do të ketë në varësi 65 punonjës, ndër ta 6 punonjës do të jenë në drejtorinë gjyqësore dhe tre në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun. Drejtoria e përkthimit do të angazhojë 5 persona dhe burimet njerëzore do të kenë një personel prej 25 personash.

Me miratimin e strukturës dhe pagave për stafin e këtyre institucioneve do të nisë edhe puna për verifikimin e të dhënave për 800 funksionarët e drejtësisë në Shqipëri.