Arbëri

Lëvizja për Bashkim propozon platformë të përbashkët politike për bisedime me Serbinë

Lëvizja për Bashkim përmes një komunikate për media ka propozuar një platformë për bisedime me Serbinë para Ekipit të Unitetit.

“Kohëve të fundit nga President i vendit u shtrua nevoja për formimin e Ekipit të Unitetit për të përmbyllur negociatat me Serbinë. Për më tepër presidenti shtoi se për rezultatet e këtyre negociatave do të vendos populli përmes një referendumi, deklaratë e cila shkaktoi jo pak habi, për shkak të spekulimeve që u përhapën për rezultatet e mundshme të këtyre negociatave”, thuhet në kumtesën e LB.

Lëvizja për Bashkim edhe njëherë konstaton se dialogu politik me Serbinë është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të mbetura shqiptaro-serbe.

“Ne konsiderojmë se rruga e ndjekur e deritanishme në negociata ka qenë e gabuar. Përqendrimi në çështje bilaterale teknike, në ato të brendshme të Kosovës dhe trajtimi kryesisht i pozitës së serbëve në Kosovë nuk mund të sjell në rezultate pozitive. Një qasje e tillë vazhdon ta lë Kosovën jofunksionale e të varur nga pakica serbe dhe në anën tjetër i lë në harresë krejtësisht shqiptarët në Kosovën Lindore”, thuhet në njoftim.

Ndryshimi i qasjes së dialogut nuk ka dyshim se kërkon një konsesus politik të forcave politike shqiptare në Kosovë. Por para krijimit të çfarëdo ekipi të unitetit, forcat politike shqiptare do të duhej të ndërtonin një platformë të përbashkët politike për bisedimet me Serbinë. Ndërtimi i një platforme të përbashkët do të vendoste institucionet e Kosovës në pozicion shumë më serioz se deri më tani si në raport me Serbinë, ashtu edhe me BE-në, do të ndikonte në sqarimin e pozicioneve të forcave të ndryshme politike, do të ndihmonte në krijimin e një stabiliteti më të madh politik të brendshëm si dhe rezultatet e këtij dialogu politik do të ishin më të parashikueshme.

Lëvizja për Bashkim është e gatshme të jap kontributin e vetë në ndërtimin e kësaj platforme duke qenë se është i vetmi subjekt politik i cili që nga viti 2010 ka një platformë të tillë e të cilën me kohë ua ka dorëzuar të gjithë bartësve të institucioneve. Ne edhe njëherë ofrojmë platformën tonë politike për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe e që bazohet ne parimin e reciprocitetit në të drejta në mes te tri komunave shqiptare ne Kosovën Lindore (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) dhe të tri komunave në veriun e Kosovës (Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit). Si atëherë, ashtu edhe sot besojmë se vendosja e parimit të reciprocitetit në qendër të platformës për zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve dhe popujve tanë, është rruga e vetme që do të dërgojë në zgjidhjen e kontestit shqiptaro-serb.