Arbëri

Marrëveshja për shpronësim me banorët e Shipitullës mund të rrisë çmimin e energjisë

Ndryshe nga herët e tjera, në fshatin Shipitullë të Obiliqit të premten banorët vazhdonin jetën e tyre pa ndonjë shqetësim.

Gjithë shpresa e tyre tash është varur te qeveria, nga e cila po kërkojnë përshpejtimin e procesit të shpronësimit, raporton KTV.

Edhe pse marrëveshja e fundit është shumë më e favorshme, banorët sërish janë të pakënaqur me ofertën, por janë të kënaqur me mundësinë që u është dhënë për t’u punësuar në KEK.

Banorët, prapa kamerës, kanë treguar se sa shumë janë dëmtuar për shkak të lejimit të ndërtimeve të shumta pa leje që janë bërë në këtë pjesë.

Sipas tyre, një pjesë e madhe e shtëpive është ndërtuar nga persona që nuk janë fare banorë të kësaj pjese, por që e cilësojnë veten komandantë.

Në këtë fshat janë parë edhe punëtorë duke kryer punime në disa shtëpi që janë të pabanueshme.

Pak metra tutje, ekskavatorët po vazhdojnë punën në heqjen e djerrinës dhe nxjerrjes së thëngjillit, aq të nevojshëm për prodhimin e energjisë.

Në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë besim se nuk do të hasin në probleme me prodhim të energjisë në muajt e ftohtë që pritet të vijnë.

Arben Gjukaj, Drejtor menaxhues i KEK-ut, ka thënë të mos ketë ndonjë informacion për shumën që duhet të paguajnë në procesin e shpronësimit, por në konton e tyre për këtë çështje i kanë vetëm 15.5 milionë.

Kohavision merr vesh se në bazë të marrëveshjes së arritur dhe që lidhet me planin e veprimit të zhvendosjes i aplikuar për lagjen Shala po në këtë hapësirë, vlera e shpronësimit kishte arritur në mbi 13 milionë euro.

Jo zyrtarisht mësohet se vlera e një ari toke është shpronësuar me 500 euro, një ari të truallit me 2300 euro, kurse vlera e një metri katror të shtëpisë ka qenë 350 euro.

Nëse këto shifra aplikohen në marrëveshjen e re, atëherë vlera e shpronësimeve do të mund të tejkalojë 20 milionëshin, siç e kishte parashikuar qeveria e kaluar.

Një shifër kaq e madhe ka shumë gjasa t’u kushtojë shtrenjtë konsumatorëve të energjisë pasi e njëjta mund të aplikohet në tarifat e reja të vitit të ardhshëm, nëse qeveria nuk gjen ndonjë mënyrë tjetër për t’i hequr këto shpenzime.