Arbëri

Haradinaj: Çështja e demarkacionit do të marrë shpejt drejtimin e duhur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Prishtinë, Maria Kapitanoviq, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rrugën e integrimeve euro-atlantike për vendin.

Duke e vlerësuar angazhimin e Kroacisë për rrugën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve të saj për të arritur synimin e anëtarësimit.

Ai tha se puna në thellimin e reformave të agjendës evropiane dhe të marrëdhënies kontraktuale me BE-në, me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, po përshpejtohet dhe Kosova do të zbatojë të gjitha kriteret e përcaktuara me qëllim të përafrimit me BE-në.

“Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, OKB, NATO dhe BE, është e një rëndësie të veçantë, tha Haradinaj.

Ai theksoi se çështja e hapur e demarkacionit do të marrë së shpejti një drejtim dhe kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE. Ai tha se Kosova është e angazhuar për ruajtjen dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe në këtë rrafsh i vlerësoi lart marrëdhëniet me Malin e Zi.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën dhe theksoi se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë aspiratën e Kosovës dhe njëkohësisht edhe të rajonit të Ballkanit për integrime euro-atlantike.

Image