Arbëri

Thaçi për Ushtrinë: Unë kreva detyrën, tash çdo gjë në duart e Qeverisë e të Kuvendit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, thotë se ka përfunduar detyrën e tij sa i përket procedurave për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Një ditë pasi dorëzoi te kryetari i Kuvendit draftligjin që kthen FSK-në në Ushtri, Thaçi ka thënë se tani gjithçka është në duart e qeverisë dhe Kuvendit për vazhdimin tutje të këtij transformimi.

“Unë si president i vendit i kom përfunduar procedurat që kërkohen nga unë. Kryesia ka votuar që ky projektligj t’i dërgohet Qeverisë për mendim/opinion dhe kemi deklarimet e para të Qeverisë se do të ketë opinion pozitiv. Kjo u mbetet tash për detyrë partnerëve të koalicionit që të ulen dhe të diskutojnë për marrjen e vendimit unanim. Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë dallime në spektrin politik sa i përket ushtrisë. Ne synojmë të gjithë të pranohemi në NATO”, ka thënë ai në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Thaçi po ashtu ka thënë se pret që ky proces të bëhet plotësisht në partneritet me NATO-n dhe SHBA-në dhe se duhet të kalojë në qetësi.