Arbëri

Hahn lavdëron Vuçiqin për dialogun e brendshëm për Kosovën

15 shtator – Anëtarësimi i plotë i Serbisë në Bashkimin Europian, përbën prioritetin kryesor në politikën e jashtme të vendit. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit të sotshëm në Beograd me komisionarin europian për Politikë Fqinjësore e Negociata për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, transmeton Koha.net.

Siç raportojnë mediet e Beogradit, Vuçiq ka deklaruar “konsiderojmë se i gjithë rajoni e ka vendin në BE dhe se pa përfshirjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor hapësira e përbashkët ekonomike e politike në kontinentin europian nuk do të jetë e plotë”.

Po ashtu Vuçiq citohet të ketë thënë se është mirë që Bashkimi Europian do të vlerësojë përparimin e secilit kandidat në bazë të meritave individuale.

Ai ka shtuar se Serbia e sheh forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor si një nga levat themelore për vazhdimin e politikës së pajtimit në rajon dhe realizimin e përshpejtuar të qëllimit strategjik të politikës së jashtme të Serbisë, që është anëtarësimi në BE.

Po ashtu është shfaqur shpresa se takimi i presidentit Vuçiq me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, dhe me palën e Prishtinës në Bruksel do të japë rezultatet përkatëse në negociatat me Prishtinën, theksohet në raportimin e medieve të Beogradit, transmeton Koha.net.

Temë e takimit të dy zyrtarëve, atij të BE-së e të Serbisë, ishte edhe thirrja e presidentit Vuçiq për dialog të brendshëm rreth Kosovës, ndërsa raportohet se komisari Hahn e ka përgëzuar Vuçiqin për këtë nismë, duke e vlerësuar këtë thirrje si një nismë të shkëlqyeshme, thekson komunikata, transmeton Koha.net.