Arbëri

Turizmi kosovar prezantohet në Berlin

Me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), tetë operatorë turistikë vendës po marrinë pjesë në panairin “ITB Berlin 2017” që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Gjatë panairit operatorët turistik po prezantojnë ofertat e tyre individuale dhe mundësitë që i ofron Kosova në përgjithësi në fushën e turizmit. Ofertat të cilat po prezantohen janë të larmishme pasi ato përfshijnë: aktivitete të ndryshme në natyrë, ecje, çiklizëm, vizita në vende me trashëgimi kulturore dhe historike, etj.

Pjesëmarrja e Kosovës në panairin “ITB Berlin 2017”, synon të forcojë lidhjet ekzistuese me sektorin e turizmit në Gjermani dhe me tregje të tjera ndërkombëtare, të prezantojë paketat e reja turistike për sezonin e vitit 2017 dhe të ndajë informata të përgjithshme për Kosovën.

Kosova në këtë panair prezantohet në mesin e mbi 180 vendeve pjesëmarrëse.

Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tour operatorë dhe agjenci turistike: : “Kosova Holidays”, “Altavia Travel”, “Traveks”, “Vas Tour”, “Outdoor Kosovo”, “Fibula”, “Eurokoha” dhe “Catun”.

Pjesëmarrja e Kosovës në panairin “ITB 2017”, është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me mbështetje nga Swisscontact – Promoting Private Sector Employment dhe USAID EMPOWER Private Sector.

Panairi është i hapur nga data 08 – 12 mars 2017.