Arbëri

Për Gashin nuk janë befasi dy poste qeveritare

Pazaret politike kanë bërë që të ketë fryerje të posteve qeveritare dhe ministrive. Ai që nga ky koalicion qeverisës arriti të marrë dy poste, atë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës, duke mos thënë direkt pazare, ka thënë se kjo situatë vjen si pasojë e koalicioneve të paqëndrueshme dhe shumicës së thjeshtë.

Gashi në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka theksuar e ky problem bartet tashmë prej katër qeverive paraprake.

“Këtë situatë e kemi prej katër qeverive të fundit, problemi i numrave, që nuk po mund të krijohet shumica, të cilët mund të udhëheqin vetë, nuk është shkak i pazareve, por për shkak se nuk po mund të krijohen koalicionet e qëndrueshme”, ka thënë Gashi.

Gashi ka nënvizuar se posti i zëvendëskryeministrit nuk do të ketë shpenzime shtesë, përderisa ai i ministrit i është dhënë bazuar në bagazhin e tij në diplomaci.

“Zëvendës kryeministri si i tillë nuk ka as shpenzime, sepse nuk ka staf, në njërën anë është fakti që të jemi bashkë me kolegët tjerë që t’ i ndihmojnë kryeministrit Haradinaj, posti i zëvendëskryeministrit është një këshillues, një nivel më i lartë”, ka thënë Gashi.

“Nuk do të ketë shtesë, ne nuk do të kemi zyre, shoferë shtesë, staf shtesë”.

“Plani është që prej ministrive ekzistuese të merren resurse për ministrinë e Inovacionit”.