Arbëri

Martin Shkreli ofroi 5 mijë $ për një fije floku të Hillary Clintonit – tani kërkon falje

Ish-shefi ekzekutiv farmaceutik Martin Shkreli ka kërkuar falje të martën për një postim në Facebook ku u kishte ofruar përcjellësve të tij nga 5,000 dollarë për t’ia shkulur një fije floku nga koka e Hillary Clintonit, duke thënë se ka qenë një “tentim i çuditshëm i humorit apo satirës” dhe jo kërcënim real.

Pendimi i tij para një gjykatësi federal erdhi pesë ditë pasi prokurorët i kërkuan gjykatës që të revokonte masën të lirimit me kusht dhe ta mbanin atë të mbyllur deri në gjykimin e tij për mashtrim, raporton “NbcNews”.

Përgjigja e parë e Shkrelit ndaj mocionit qeveritar ishte me karakter blasfemik dhe përçmues. “Ejani tek unë me forcat maksimale sepse ende s’kam parë diçka impresionuese”, ka shkruar ai në faqen e tij në Facebook, javën e kaluar, transmeton Koha.net.

Por në mbrëmjen e një seance ku do të përcaktohej nëse ai do të shkojë në burg apo jo, toni i tij ndryshoi.

“Dua t’i kërkoj falje personalisht këtij Gjykate dhe avokatëve të mi për acarimin që kanë shkaktuar postimet e mia të fundit”, ka shkruar Shkreli. “Kam vepruar nën gjykim të dobët por asnjëherë nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj alarm apo të promovoj ndonjë akt dhune”.

Avokati i tij, Benjamin Brafman, ka thënë se duhet bërë një dallim mes satirës së vrazhdë dhe kërcënimeve apo ngacmimeve të vërteta.