Arbëri

Rakiq e Gjuriq nesër në Moskë, takime me partinë e Putinit për ndihmë “Kosovës e Metohisë”

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do të udhëtojnë për në Moskë.

Ata pritet të takohen me një delegacion të lartë të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, dhe mes të tjerash do të bisedojnë edhe për zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Lista Serbe i është falënderuese mbështetjes që e merr nga Rusia e Bashkuar e Putinit”, ka thënë Rakiq para takimit të nesërm, theksohet në një njoftim të kësaj Liste, raporton Koha.net.

Ai ka shtuar se kolegëve rusë do t’ua përcjell falënderimet e serbëve të Kosovës për “gjithçka ka bërë Rusia dhe partia e presidentit Vladimir Putin deri më tani në skenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Rakiq ka theksuar se Lista Serbe pret që pas kontakteve në Moskë do të fitojë përkrahje të padyshimtë të Rusisë së Bashkuar për “vazhdimin e luftës për interesa të popullit dhe shtetit serb në Kosovë e Metohi, të cilën e ka pasur edhe para zgjedhjeve të fundit parlamentare në krahinë”.