Arbëri

Baxhaku fton Zafir Berishën në garën kundër PDK-së në Prizren

Kandidati i LDK-së, Hatim Baxhaku e ka quajtur luftë të pandershme të PDK-së dhe përdorim të shtetit për qëllime politike, decertifikimin e kandidatit të Nismës, Zafir Berisha në garën për Prizren.

Në një postim në Facebook, Baxhaku e ka ftuar Berishën e Nismës që t’i bashkohet në luftë kundër “pushtetit kriminal” të PDK-së.

“Pushteti i krimit,shantazhit dhe zhvatjes,si duket e ka nuhatë me kohë humbjen e thellë që do ta pësoj në Prizren. Nga paniku për të shpëtuar diçka nga e pamundura,ka filluar të përdor mekanizma shtetëror për qëllime politike. Në vazhdën e kësaj lufte të pandershme,ishte sot edhe rasti i deçertifikimit të deputetit Zafir Berisha nga gara për kryetar të Prizrenit”, ka shkruar Baxhaku.

“Duke e pasur te qartë se Zafir Berisha e ka dëmtuar më së shumti në elektorat këtë parti, deçertifikimin e tij sot, nuk e kuptoj ndryshe pos hakmarrje ndaj tij dhe lëndim të demokracisë”, ka shtuar kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit.

“Unë e inkurajoj deputetin Zafir Berisha të mos dëshpërohet,por përkundrazi,bashkë me subjektin e tij Nisma për Kosovë të na bashkohet në luftën tonë të perbashkët kundër këtij pushteti kriminal”.