Arbëri

BE insiston për transparencë të financimit të fushatave të partive

Derisa Kosova po bëhet gati për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, zgjedhjeve parlamentare u është kthyer edhe një herë Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE-ja, raporton KTV.

Ky mision, nga të gjeturat prej procesit të votimit dhe numërimit, ka nxjerrë raportin përfundimtar me të gjetura, dhe 26 rekomandime që u janë përcjellë institucioneve relevante.

Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle, ka theksuar nevojën për transparencë të financave të partive politike dhe financimit të fushatave të tyre, por edhe transparencë edhe me krimet që lidhen me zgjedhjet e vitit 2014. Peterle ka kërkuar rritje të transparencës në QNR, ku pati rinumërim të votave me 20 % më shumë se në zgjedhjet paraprake, derisa në raport është kritikuar roli pasiv i Komisionit të Pavarur për Media gjatë këtyre zgjedhjeve.

Numrin e madh të votave të pavlefshme, drejtues të këtij misioni e kanë lidhur edhe me mungesën e fushatave edukuese.

Megjithatë, KQZ-ja, shkaku i procedurave të prokurimit, mund të mbetet keq edhe me fushatën për zgjedhjet lokale. OSHP-ja, më 8 gusht, i kishte anuluar KQZ-së përzgjedhjen e operatorit ekonomik për aktivitetin “Informimi Publik për zgjedhjet Lokale 2017”, e përderisa janë ende në procedura të përzgjedhjes së operatorit, Valdete Daka i ka thënë KTV-së se po bëjnë informimin në forma alternative.