Arbëri

Berisha reagon ndaj vendimit të KQZ-së për decertifikim

Zafir Berisha ka humbur mundësinë që të kandidojë për kreun e Prizrenit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Emri i tij së bashku me 85 kandidatë të tjerë ishin pjesë e listës e cila u decertifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo pasi ata janë të dënuar nga gjykata për vepra penale në tre vjetët e fundit.

Vetë Berisha, deputet i Nismës, ka reaguar për vendimin duke thënë se ky ishte vendim politik, ndërsa tani do ta ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Faktikisht vendimi ishte puro politik i ndikuar nga bandat kriminale te cilat jam duke i luftuar, jam i njëjti person që me të njëjtin ligj jam zgjedh deputet i Kosovës. Atëherë nuk morën masa pasi u deshtë të largonin nga lista kriminalet që vodhën me miliona euro e që janë të njëjtit që kanë kapur shtetin. Do të ankohem në Gjykatën Kushtetues për shkeljen e të drejtës kushtetues për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe të njëjtën do ta deponoj edhe PZAP”, ka thënë ai për KTV-në.