Arbëri

Më 15 shtator, mbrëmje bamirësie për Fondin Kosovaro-Amerikan për Edukim

Më 15 shtator në Prishtinë do të mbahet një mbrëmje bamirësie, gjatë të cilës do të mblidhen kontribute për Fondin Kosovaro-Amerikan për Edukim, transmeton Koha.net.

Në njoftimin për këtë ngjarje bëhet e ditur se më 15 shtator 2017, në ambientet idilike të Muzeut Etnologjik në Prishtinë, duke nisur nga ora 19:00, Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar organizon mbrëmjen për ngritje të fondeve të bursës KAEF (Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim ) të quajtur “The Night of the Rising Stars”.

Organizatori i këtij manifestimi bën të ditur se grupi i mirënjohur kosovar Asgjë Sikur Dielli do të jetë mysafir i veçantë në gala mbrëmjen, gjatë së cilës do të performojë për mysafirët.

“The Night of The Rising Stars” do të jetë ngjarje bëmirësie me qëllim të përkrahjes së të rinjve të talentuar nga Kosova përmes bursës për programe master – KAEF.

Njëherësh kjo mbrëmje synon që t’i festojë të arriturat e Kosovës në fushën e edukimit dhe t’i falënderojë donatorët që përmes përkrahjes së tyre e bëjnë të mundur jetëgjatësinë e kësaj burse prestigjoze.

Në realizimin e kësaj mbrëmjeje kanë kontribuar: Limak Kosova, Recura Financials, KOSTT, Raiffeisen Bank, BPB, Roche, Cacttus, Muzeu i Kosovës, Korporata Rugovë, Finesë, Stone Castle, Meridian Corporation, Restorani Tiffany, Gagi Print, AVC, Amël, Hotel Nartel dhe Rrota.

Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) ofron bursa për studime master në disa prej universiteteve më të mira amerikane. KAEF është burim i rëndësishëm për studentët e talentuar kosovarë që të fitojnë dituri shtesë dhe të njihen me mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më sot, KAEF që nga viti 2005 ka ndarë 92 bursa për të rinjtë e talentuar nga Kosova.

Biletat për mala mbrëmjen mund të blihen tek zyrat e Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, Rr. Fehmi Agani, no. 46/3, 10000 Prishtinë, Kosovë, për 30 euro apo edhe në Tartine Grande. Numri i biletave është i limituar. Të gjitha përfitimet nga shitja e biletave do të kontribuojnë në fondin e bursës KAEF, përfundon njoftimi.

Për akreditim medial, kontaktoni Zana Idrizi në kaef@americancouncilssee.org.

Image