Arbëri

Italia, e gatshme të ndihmojë agjendën evropiane të Kosovës

Ministrja e porsaemëruar e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti sot në takim Ambasadorin italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin biseduan për agjendën evropiane të Kosovës dhe mundësitë për të shtyrë përpara proceset kyçe.

Me Amabsadorin italian, ministrja diskutoi për proceset të cilat ndërlidhen me agjendën evropiane të Kosovës, zhvillimet në rajon dhe deri tek lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.

Me këtë rast, Hoxha falënderoi Ambasadorin Sardi për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë Italia për Kosovën si në zhvillimin e vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ajo, po ashtu njoftoi Sardin për zhvillimet aktuale në kuadër të procesit të integrimit evropian, respektivisht avancimit të Kosovës në zbatimin e MSA-së.

“Kosova është plotësisht e dedikuar në avancimin me agjendën evropiane dhe këtu ka një konsensus të plotë shoqëror”, tha Hoxha, duke theksuar se do të angazhohet maksimalisht që të shtyjë përpara të gjitha institucionet që të kryejnë obligimet me Agjendën e Reformave Evropiane dhe implementinin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit pasi që “kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe do të përmirësojë ambientin e të bërit biznes”.

Nga ana e tij, Ambasadori Sardi e përgëzoi ministren Hoxha për emërimin në pozitën e re dhe shprehu bindjen e tij për një bashkëpunim të suksesshëm. Ai vazhdoi për të thënë se do të jetë i përkushtuar në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona.

Po ashtu, konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të Qeverisë italiane për Kosovën dhe posaçërisht në procesin e integrimit evropian.