Arbëri

Hapet kampi ndërfetar për të rinjtë e Kosovës

Descriptive Text

Në Kosovë, shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Braathu, tha të hënën se dialogu ndërkulturor është i domosdoshëm, për të siguruar të ardhme të qëndrueshme.

Ai i bëri këto komente në hapje të një kampi me rreth dyzet të rinj të komuniteteve të ndryshme fetare, që i kushtohet diversitetit kulturor, fetar dhe dialogut ndërfetar, si dhe debateve mbi rolin që të rinjtë mund të luajnë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, raporton VoA.

“Nëse shoqëria përbëhet nga njerëz që nuk i njohin fqinjët e tyre, kjo është një situatë shumë e rrezikshme. Duke mos i kuptuar fqinjët tanë ne biem pre e të gjitha llojeve të stereotipeve, të gjitha llojeve të keqkuptimeve. Stereotipet dhe keqkuptimet janë fillim i një procesi shumë të rrezikshëm”, tha Braathu.

Njëri nga pjesëmarrësit, Kushtrimi, thotë se ky kamp u ndihmon atyre në tejkalimin e paragjykimeve për njëri tjetrin.

“Kur kemi ardhur në fillim kemi pas shumë paragjykime, sidomos me komunitetin ortodoks serb, sepse me ta përveç fesë na dallon edhe gjuha, kultura, pra kemi dallime te ndryshme. Por me kalimin e kohës nuk i kemi më këto probleme”, thotë ai.

Në hapjen e punimeve të këtij kampi morën pjesë edhe përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë, të cilët e theksuan nevojën e bashkërendimit të veprimeve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“BIK- u, pra Bashkësia Islame e Kosovës, ka punuar në vazhdimësi për ti nxitur të rinjtë të jenë aktiv, të promovojnë vlera në frymën e bashkëjetesës, larg çdo ekstremi, radikalizmi apo dukurie negative që është e dëmshme”, tha Fitim Flugaj nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Ne kemi përgjegjësi të madhe t'ju ndihmojmë vëllezërve tonë mysliman, t'i përkrahim ata në luftën kundër këtyre fenomeneve dhe çdo lloj ekstremizmi”, tha Teodosije Sibaliq nga Kisha Ortodokse serbe.

Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Përfaqësues të organizatave që merren me trajtimin e kësaj çështjeje thonë se veprimet ligjore në përpjekje për të parandaluar radikalizmin e të rinjve duhet të përcillen me nisma vendore gjithëpërfshirëse.

Në Kosovë, dhjetëra të rinj të besimeve të ndryshme po marrin pjesë në një kamp pesëditësh të organizuar nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kushtuar dialogut ndërfetar. Kampi përfshin veprimtari që u mundësojnë pjesëmarrësve të mësojnë për besimet e ndryshme në Kosovë dhe për rolin që të rinjtë mund të luajnë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.